Bordi drejtues ushtron kompetencat e tij në zbatim të politikave të përgjithshme shtetërore për përmbushjen e nevojave të veçanta të sigurisë, teknike dhe operative, për çdo institucion të sistemit të drejtësisë, duke treguar kujdes të veçantë për sigurinë kibernetike, integritetin e mbrojtjen e sistemit dhe të të dhënave të përdorura e të ruajtura nga sistemi. Bordi ushtron kompetencat, si më poshtë vijon:
a) propozon strukturën e organikën e qendrës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor;
b) miraton projektbuxhetin e qendrës;
c) miraton rregulloren e brendshme për organizimin e funksionimin e Qendrës;
ç) emëron drejtorin ekzekutiv në përfundim të procedurës së realizuar nga Njësia e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
d) përcakton rregullat e udhëzimet për institucionet e sistemit të drejtësisë lidhur me hapat dhe masat që duhet të merren për teknologjinë e informacionit në sistemin e drejtësisë, me qëllim sigurimin e ndërveprimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit;
dh) vendos për masat më të larta mbrojtëse që përcaktojnë aksesin e secilit institucion, bazuar në rolin e secilit prej tyre, në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe të të dhënave. Aksesi i bazuar te roli i institucionit duhet të përcaktohet nga rrjedha e proceseve të punës e nevojat operative të punës së çdo institucioni. Ky lloj aksesi duhet të krijohet për secilën teknologji informacioni dhe/ose sistem të dhënash brenda çdo institucioni;
e) përcakton rregulla dhe procedura përmes të cilave Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i garantohet aksesi i plotë, pa të drejtë modifikimi/ndërhyrjeje në sistemet e të dhënave dhe të teknologjisë së informacionit, siç parashikohet në ligj;
ë) miraton rregullat e procedurat përmes të cilave garantohet mbrojtja dhe konfidencialiteti i të dhënave personale, si dhe ruajtja e sekretit dhe ndalimi i publikimit të akteve hetimore, ndërkohë që garantohet edhe e drejta për një proces të rregullt;
f) miraton rregullat e procedurat për dhënien e aksesit të sigurt, nga autoritetet publike, të parashikuara nga ligji apo vendimet e Këshillit të Ministrave, për organet proceduese gjatë kryerjes së hetimit e të ushtrimit të ndjekjes penale;
g) miraton protokollet për mbledhjen, përdorimin e shkëmbimin e të dhënave;
gj) miraton masa që sistemet elektronike të teknologjisë së informacionit të gjenerojnë informacionin statistikor që nevojitet për punën e të gjitha institucioneve në sistemin e drejtësisë, në konsultim të ngushtë me institucionet përkatëse;
h) miraton strategjinë e përgjithshme dhe vizionin lidhur me teknologjinë e informacionit për institucionet e sistemit të drejtësisë, si dhe miraton plane strategjike afatgjata për teknologjinë;
i) miraton arkitekturën e strukturën e sistemeve të teknologjisë së informacionit të institucioneve të sistemit të drejtësisë, në përputhje me standardet e miratuara;
j) mbikëqyr zbatimin e specifikimeve teknike për sistemet e teknologjisë së informacionit të sistemit të drejtësisë;
k) informon institucionet e sistemit të drejtësisë, çdo vit, lidhur me gjendjen e përdorimit e të funksionimit të sistemeve të tyre të teknologjisë së informacionit;
l) siguron që institucionet e sistemit të drejtësisë kryejnë, përmes një ekspertize të kualifikuar e të pavarur, auditimin e bazave të tyre të të dhënave;
ll) përcakton prioritetet në drejtim të investimit e të zbatimit të projekteve të reja;
m) miraton të gjitha nismat që lidhen me teknologjinë e informacionit, së bashku me buxhetet përkatëse;
n) miraton politikat që lidhen me zhvillimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përgjegjëse për teknologjinë e informacionit, në institucionet e sistemit të drejtësisë, si dhe politikat për pajisjet e teknologjisë së informacionit e programet kompjuterike që përdoren nga institucionet e sistemit të drejtësisë;
nj) përcakton standardet e politikat për prokurimin e mirëmbajtjen e të gjitha sistemeve të teknologjisë së informacionit, të pajisjeve dhe të programeve kompjuterike, si dhe të shërbimeve të internetit e intranetit;
o) siguron që prokurimet dhe kontratat e institucioneve të sistemit të drejtësisë, për zhvillimin e mirëmbajtjen e të gjitha sistemeve të teknologjisë së informacionit, të pajisjeve dhe të programeve kompjuterike, si dhe për shërbimet e internetit, edhe intranetit, kryhen në përputhje me standardet e politikat e miratuara;
p) vlerëson e miraton paraprakisht të gjitha marrëveshjet që mund të lidhin institucionet e sistemit të drejtësisë me persona fizikë, juridikë, publikë ose privatë, si dhe me organizatat jofitimprurëse, të cilët kanë ndikim në funksionimin e teknologjisë së informacionit dhe sistemeve të të dhënave;
q) siguron menaxhimin, funksionimin e mirëmbajtjen e besueshme dhe të sigurt të sistemeve të teknologjisë së informacionit të institucioneve të sistemit të drejtësisë;
r) vendos rregulla për administrimin e të gjitha sistemeve të teknologjisë së informacionit e miraton udhëzime për përdorimin e tyre.
11. Në rast se vendimmarrja për politikat e standardet lidhur me sigurinë, integritetin e bazës së të dhënave shtetërore ose të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, aksesin, shkëmbimin ose ndërveprimin e të dhënave, vlerësohet se përmbush pragun e nevojave të të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë, përveç Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe/ose gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, anëtarët e Bordit drejtues që përfaqësojnë këto institucione mund të propozojnë vendimmarrje të veçantë, e cila adreson nevojat unike të këtyre institucioneve.
Bordi drejtues pranon propozimin e merr vendim të veçantë në përputhje me të. Këto vendime përcaktojnë në mënyrë të shprehur kufizimin e zbatimit vetëm nga struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe/ose gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
12. Bordi drejtues mblidhet të paktën 1 (një) herë në muaj. Kryetari i Bordit mund të thërrasë mbledhje më të shpeshta, nëse ka çështje që duhet të trajtohen.
13. Mbledhja e Bordit është e vlefshme kur janë të pranishëm të paktën 7 (shtatë) anëtarë. Kur kuorumi nuk plotësohet, kryetari vendos thirrjen e mbledhjes në një ditë tjetër. Bordi vendos në votim të hapur me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Anëtari i Bordit, i pranishëm në mbledhje, nuk mund të heqë dorë nga votimi, përveçse kur ka konflikt interesi ose pengesa të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Kryetari është anëtari i fundit i cili voton lidhur me një çështje. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese. Çdo anëtar i Bordit mban përgjegjësi për votën dhe ka të drejtë të bëjë një deklarim të shkurtër me gojë ose me shkrim për arsyet e votimit.
14. Kryetari i Bordit drejtues kryen këto funksione:
a) përgatit, thërret e drejton mbledhjet e Bordit;
b) mbikëqyr mbështetjen e nevojshme administrative, financiare dhe logjistike nga Këshilli i
Lartë Gjyqësor për funksionimin e qendrës;
c) në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe strukturën e përhershme të qendrës,
siguron mbështetjen administrative dhe organizative për funksionimin e Bordit;
ç) siguron që mbledhja e Bordit të regjistrohet në sistemin audio dhe një përmbledhje e procesverbalit të mbledhjes së Bordit bëhet publike në faqen e internetit të qendrës;
d) drejton procesin e shpërndarjes së detyrave ndërmjet anëtarëve të Bordit;
dh) drejton procesin e hartimit e të zbatimit të planit vjetor të Bordit dhe siguron publikimin e tij;
e) siguron dorëzimin e projektbuxhetit të qendrës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda afatit dhe merr pjesë në diskutimet e Kuvendit për buxhetin e sistemit gjyqësor;
ë) siguron dokumentimin e mbledhjes se Bordit e mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
f) ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar me vendim të Bordit ose nga legjislacioni në fuqi.
15. Kryetar i Bordit drejtues është anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa zëvendëskryetar i tij është anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
16. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha kompetencat e kryetarit në mungesë dhe në pamundësi të këtij të fundit, si dhe në rastet e pamundësisë së përkohshme të kryetarit.




